
Kreu i LDK-së thotë se deputetët e kësaj partie e nisin mandatin me përkushtim ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se me konstituimin e Kuvendit të Republikës, deputetët e kësaj partie kanë dhënë betimin përpara qytetarëve dhe Kushtetutës, duke marrë përgjegjësinë për përfaqësimin e interesave të vendit.
Ai theksoi se përfaqësuesit e LDK-së do ta nisin mandatin me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë për besimin e marrë nga qytetarët.
“Sot u konstituua Kuvendi i Republikës. Me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhamë betimin tonë, përpara qytetarëve dhe Kushtetutës, përpara vendit dhe Zotit. Me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë për besimin e marrë, përfaqësuesit tanë e nisin mandatin të përkushtuar ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik. LDK do të jetë zë i arsyes, i stabilitetit institucional dhe i shtetit funksional, në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij”, ka deklaruar Abdixhiku.



