
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mohuar se janë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, në të cilin do të kërkohej shkarkimi i tij.
Para mediave, Abdixhiku deklaroi se deri më tani nuk është deponuar asnjë kërkesë zyrtare dhe i cilësoi nismat për shkarkimin e tij si të njëanshme.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tash. Do të doja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë LDK-në. Nuk e dëshiroj ndarjen e LDK-së. E kemi pasë një kuvend para disa kohe dhe tash të kemi nisma të njëanshme, nuk i bëjnë mirë LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ndërkohë, anëtari i LDK-së, Armend Zemaj, deklaroi se janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
“Janë më shumë se 150 nënshkrime që kanë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së”, u shpreh Zemaj.
Sipas Statutit të LDK-së, pas dorëzimit të kërkesës me nënshkrimet e të paktën një të tretës së delegatëve, Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të mblidhet brenda 60 ditëve.
Pakënaqësitë brenda LDK-së janë shtuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa më herët KOHA kishte raportuar se delegatë të partisë kishin nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një kuvend të jashtëzakonshëm.



