
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në librin e saj “Zonja Sekretare”, ka shkruar për negociatat e vështira të Rambujesë dhe për qëndrimet e delegacionit shqiptar të Kosovës gjatë procesit.
Një pjesë më pak e njohur për publikun kosovar është ajo që Albright shkruan për Ibrahim Rugovën, presidentin e Kosovës dhe udhëheqësin politik që për vite me radhë kishte drejtuar rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Rugova ishte një nga figurat qendrore politike të Kosovës gjatë viteve ’90. Si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai ndërtoi institucionet paralele dhe promovoi një strategji të rezistencës paqësore, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Në kujtimet e saj, Albright tregon se gjatë negociatave të Rambujesë Rugova kishte mbajtur një qëndrim të prerë për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Sipas saj, Rugova kishte theksuar se shqiptarët e Kosovës e lidhnin sigurinë e tyre drejtpërdrejt me pavarësinë dhe se shtyrja e përkohshme e përpjekjeve për pavarësi do të ishte kompromisi maksimal që mund të pranohej.
“Rugova tha se shqiptarët gjithmonë e kishin barazuar sigurinë me pavarësinë dhe se, nëse do të pranonin t’i shtynin përpjekjet për pavarësi për një periudhë të përkohshme, ky do të ishte i vetmi lëshim që do të bënin. Të gjithë ishin të një mendjeje për nevojën e një referendumi për çështjen e pavarësisë”, shkruan Albright.
Ky përshkrim e paraqet Rugovën si një prej figurave që, edhe në një proces kompromisi ndërkombëtar si Rambujeja, e konsideronte pavarësinë si pikën përfundimtare të zgjidhjes politike për Kosovën.
Negociatat e Rambujesë, të zhvilluara në fillim të vitit 1999, synonin arritjen e një marrëveshjeje mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë. Delegacioni kosovar e pranoi marrëveshjen, ndërsa pala serbe e refuzoi atë. Pak javë më vonë, NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave jugosllave.



