
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit “Top Secret 2”, i përfshirë në mesin e dëshmive në aktakuzën e PSRK-së për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit, shkruan KOHA.
“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si ‘Top Secret’, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli”, thuhet në një njoftim të BIK për këtë zhvillim.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar KOHA dokument “Top Secret 2” është gjetur në celularin e Shehollit dhe që synim ka zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon.
Në njoftimin e BIK-ut thuhet se përmbajtja e publikuar e paraqet këtë institucion në mënyrë të rreme dhe se pretendohet që Bashkësia Islame është nën ndikimin e shërbimeve të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si institucione të financuara për qëllime destabilizuese.
“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesën e BIK drejtuar Prokurorisë Speciale.
Në atë dokument, të cilin sipas aktakuzës Sheholli më 5 gusht të vitit 2025 ia ka dërguar një personi me emrin Viktor Makedonija, tregohet plani për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme në afërsi të autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare dhe po ashtu të trefishohet numri i xhamive në fshatrat e mëdha. Po ashtu kërkohet që edhe medresetë të shtrihen në gjithë vendin.
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë që sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islamë të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami. Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë. Me këtë do te arrijmë që t’i ndajmë shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit synimi është që në Kosovë të krijohet atmosfera që njerëzit të ndihen sikur po jetojnë në një shtet të huaj, e në këtë mënyrë një pjesë e rinisë të ikë jashtë dhe një pjesë tjetër të vendosë për fenë islame.
“Pas 20 vjetëve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsërisë përndjekjen e shqiptarëve në Turqi, mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke iu ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, thuhet në dokument.
Prokuroria pretendon se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, është relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.



