
Pas takimit konsultativ me Ministrin në detyrë Hekuran Murati, sindikatat dhe përfaqësuesit e bizneseve ranë dakord për rritjen e pagës minimale, duke lënë hapësirë për diskutime të mëtejshme për 600 euro.
Ka përfunduar takimi i Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale. Takimi nisi rreth orës 10:00 dhe kishte karakter konsultativ.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, deklaroi se kërkesa e tyre fillestare ishte që paga minimale në sektorin privat të arrinte 600 euro. Megjithatë, pas diskutimeve, u arrit dakordimi që nga muaji janar i vitit të ardhshëm paga minimale të jetë 500 euro.
“Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Pas konsultimeve, vlerësimi i ministrit është që paga të jetë 500 euro dhe të fillojë së implementuari nga janari. Megjithatë, propozimi ynë për 600 euro nuk është hedhur poshtë,” tha Azemi pas takimit.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Kosovës shtoi se rritja e pagës minimale duhet të fillojë vetëm pas formimit të një qeverie të re funksionale. Ai theksoi se vendime të nxituara, si rritja e çmimit të energjisë, kanë krijuar pasiguri për bizneset dhe punëtorët.
Takimi nuk kishte për qëllim marrjen e vendimeve përfundimtare, por shërbeu si një platformë konsultative midis aktorëve të përfshirë.



