
Analisti i njohur mbi rrjedhat politike në Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber ka folur rreth situatës politike në Kosovë.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Bieber ka pasur një interpretim interesant, duke e quajtur si “rrëmujë” situatën politike që po mbizotëron aktualisht në Kosova.
“Mendoj se është e vështirë të përshkruhet ajo që po ndodh ndryshe, përveçse si një rrëmujë. Fakti që i gjithë sistemi, në njëfarë mënyre, po funksionon me mungesë institucionesh legjitime — qeveri, parlament dhe president — është natyrisht shumë shkatërrues për Kosovën. Fakti që kemi pasur këtë paqëndrueshmëri, e cila në të vërtetë është përkeqësuar gjatë vitit të fundit, nuk është aspak inkurajues” – ka vlerësuar Bieber.
Tutje, analisti Bieber ka theksuar se në mes VV-së dhe partive të tjera ka “një hendek të madh”.
“Në një farë mase, kjo është sigurisht një çështje më afatgjatë, në kuptimin që ekziston një hendek i madh mes Vetëvendosjes dhe të gjitha partive të tjera politike, që daton prej shumë vitesh. Kjo u bë shumë e dukshme kur ra qeveria e parë e Vetëvendosjes, më pas patëm qeverinë e përkohshme dhe pastaj rikthimin e Vetëvendosjes në vitet 2020–2021. Pra, kjo situatë ka vazhduar prej kohësh. Ky polarizim krijon një realitet ku praktikisht nuk ekziston aftësi për bashkëpunim politik, ose bashkëpunimi është bërë pothuajse i pamundur” – tha Bieber.



