
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja politike për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president përbën mundësinë për të ruajtur stabilitetin institucional dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Kurti ka thënë se ata që duan forcimin e shtetit dhe evitimin e zgjedhjeve e kanë tashmë një zgjidhje konkrete.

“Ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve, forcimin e shtetit e kanë shansin. E ky është emri i përveçëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht prof. Bekim Sejdiu”, ka deklaruar Kurti.
Deklarata e tij vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për President të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, kandidatura e Sejdiut ka hasur në kundërshtime brenda Grupit Parlamentar të LDK-së, ku disa deputetë kanë deklaruar publikisht se nuk do ta mbështesin atë.
Kurti ka lënë të kuptohet se votimi i Sejdiut do të ishte rruga për të shmangur një krizë të re institucionale dhe zgjedhjet e parakohshme.



