
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tre fëmijët që u bënë shembull i rrallë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare: Diar Terziun, Anik Terziun dhe Rajana Terziun.
Në Ditën Botërore të Fëmijëve, ata u vlerësuan për aktin e tyre fisnik, pasi gjetën një portofol me para dhe pa hezitim e dorëzuan në polici.
Osmani u ndau atyre mirënjohje presidenciale për gjestin e tyre, duke e quajtur një mesazh të fortë mbi vlerat morale që duhet t’i karakterizojnë qytetarët e rinj.
“Sot pata kënaqësinë t’i pres tre heronjtë e vegjël që na dhanë një shembull të jashtëzakonshëm ndershmërie. Ata u shndërruan në frymëzim për gjithë fëmijët e vendit”, shkroi Presidentja në një reagim.Gesti i fëmijëve ka ngjallur reagime pozitive në publik, duke u vlerësuar si një prej shembujve më të mirë të edukimit dhe kulturës qytetare.




