
Deputeti i VV-së dhe zëdhënësi i partisë u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, dhe zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, janë shpallur fajtorë për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.
Ndërkohë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj janë shpallur fajtorë për veprën penale “kanosje” dhe janë dënuar secili me nga gjashtë muaj burgim.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Kushtrim Shyti, kryetar i kolegjit, si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Në shpalljen e aktgjykimit ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Edi Zenelaj, ndërsa munguan Egzon Azemi, Arlind Manxhuka dhe Qerim Elshani, si dhe prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.
Në seancë morën pjesë edhe mbrojtëset e të akuzuarve, avokatja Teutë Xhema për Egzon Azemin dhe avokatja Valentina Shabani për Arlind Manxhukën.
Ky rast kishte kaluar edhe më parë nëpër gjykata. Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 mars 2025 kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim. Më 27 tetor 2025, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre më 8 nëntor 2023 për veprat penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Kanosja”.
Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi akuzohen se më 28 dhjetor 2022, përmes postimeve në rrjetin social Facebook, kanë nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit special Afrim Shefkiu, të cilët kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Dejan Pantiq.
Në aktakuzë thuhet se Manxhuka kishte shpërndarë një postim me fjalët “Ky aktgjykim është akttradhëti”, ndërsa Azemi kishte publikuar një shkrim të shoqëruar me fotografi dhe përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, pas këtyre postimeve, Qerim Elshani kishte bërë komente kërcënuese ndaj zyrtarëve të drejtësisë, ndërsa Edi Zenelaj kishte vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyllë e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, duke shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie te të dëmtuarit.



