
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Partia Socialiste duhet të reformohet dhe të vetëpastrohet për t’i paraprirë asaj që e quajti “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”.
Në një mesazh publik, Spiropali tha se Shqipëria e së ardhmes duhet të jetë më e hapur, më e drejtë, më meritokratike dhe më europiane.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë. Shqipërinë që duam të ndërtojmë, duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane”, ka shkruar ajo.
Sipas Spiropalit, për të arritur këtë objektiv, Partia Socialiste duhet të bëhet më dinamike, më demokratike dhe më e pastër.
“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”, ka theksuar ajo.



