Enver Robelli: Grupi kundër Abdixhikut nuk tregoi se çfarë ndryshimi donte – nuk ofruan alternativë

Gazetari Enver Robelli ka komentuar rezultatin e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, duke kritikuar grupin që kërkonte shkarkimin e Lumir Abdixhikut.

Në një postim në rrjetet sociale, Robelli tha se një kryetar partie nuk mund të ndërrohet pa u treguar delegatëve se cili është plani dhe kush do ta pasojë atë.

banner

“Nuk mund ta ndërrosh një kryetar partie pa iu treguar delegatëve se çka vjen pastaj. Një kryetar i ri? Pse atëherë s’e mori askush guximin ta sfidojë kryetarin e LDK-së?”, ka shkruar ai.

Sipas Robellit, grupi që propagandonte ndryshimin nuk paraqiti një alternativë konkrete, por vetëm slogane dhe deklarata të përgjithshme.

Ai kritikoi edhe idenë që në debat u përmend se kryetari i Prishtinës mund të ishte kandidat për shkak të pamjes së tij.

“Kulmi ishte kur u tha se ndoshta kryetar i ri i partisë duhet të jetë kryetari i Prishtinës, sepse na qenkësh ‘i pashëm’. Por delegatët nuk erdhën në Prishtina Fashion Week, por në një tubim partiak”, ka shkruar Robelli.

Në fund, ai e cilësoi si fyerje ndaj delegatëve kërkesën për largimin e kryetarit pa ofruar një alternativë të qartë.

Postimi i tij i plotë:

Nuk mund ta ndërrosh një kryetar partie pa iu treguar delegatëve se çka vjen pastaj. Një kryetar i ri? Pse atëherë s’e mori askush guximin ta sfidojë kryetarin e LDK-së? Grupi që propagandonte ndryshim, nuk tregoi çfarë ndryshimi dëshironte, përveç frazave, floskulave dhe nonsensit. Kulmi ishte kur u tha se ndoshta kryetar i ri i partisë duhet të jetë kryetari i Prishtinës, sepse na qenkësh “i pashëm”. Por delegatët, shumica, nuk erdhën në Prishtina Fashion Week, por në një tubim partiak për të vendosur si më tutje. U përballën vetëm me një kërkesë: të hiqet kryetari, pastaj shohim e bëjmë. Kjo është fyerje ndaj delegatëve. Sikur të ishte kriter për zgjedhje të kryetarit dukja e tij (“i pashëm”, “deri diku i pashëm”, “jo i pashëm”), atëherë delegatëve do duhej dhuruar paraprakisht tregimin e Ismail Kadaresë “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.