
Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë dalë me një letër të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar lidhur me procesin në Dhomat e Specializuara.

Në letrën e publikuar nga Altin Krasniqi, familjet kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar.
“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë”, thuhet në letër.
Familjet kanë kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në raport me Dhomat e Specializuara.

Ato janë deklaruar edhe për ftesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për takim.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letër.
Me këtë qëndrim, familjet kanë bërë të ditur se takimin me Haxhiun preferojnë ta zhvillojnë vetëm pasi Kuvendi të marrë vendimin e tij lidhur me çështjen.



