Gërvalla: Gjithmonë jam në anën e viktimave – po përgatitemi për Apel

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për herë të parë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një konferencë për media, Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dhe se, së bashku me ekipin e saj, që nga dita e parë ka nisur punën për hapat e mëtejshëm.

“Jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë. Unë me ekipin tim qysh në ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se tashmë bëhet fjalë për një betejë ligjore dhe se institucionet duhet të përgatiten për fazën e ardhshme të procesit.

“Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë, por jemi duke i analizuar të gjitha rrethanat”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka mohuar gjithashtu të ketë pasur ndonjë lidhje me dëshmi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Nuk kam asnjë hallkë as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Specialen”, ka deklaruar ministrja.

Duke folur për qëndrimet e saj të mëhershme, Gërvalla ka thënë se gjithmonë ka zgjedhur të jetë në anën e viktimave, duke e lidhur këtë edhe me historinë e saj familjare.

“Ndoshta për shkak të historisë sime familjare. Ndoshta për faktin që e ndjej pozitën e gjithkujt që ka humbë një të afërm, në çfarëdo rrethane, dhe prandaj unë, edhe kur kam qenë dhe sidomos kur s’kam qenë anëtare e Qeverisë, gjithmonë jam prononcuar dhe kam qenë në anën e viktimave”, ka thënë ajo.

Sipas Gërvallës, viktimat kanë nevojë për njerëz që flasin fuqishëm për to.

“Sepse mendoj se ka nevojë për zëra të fortë që flasin për viktimat”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se ky qëndrim vlen për viktimat e periudhave të ndryshme – para, gjatë dhe pas luftës.

“Unë, sa herë që qëndroj pranë familjarëve, fëmijëve të viktimave, qoftë të atyre para luftës, gjatë dhe pas luftës, unë gjithmonë marr anën e viktimës”, ka thënë Gërvalla.

Sa u përket kërkesave për dorëheqjen e saj, Gërvalla ka thënë se secili ka të drejtë ta shprehë mendimin e vet.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.