
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh, përfshirë ato për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sistemin e drejtësisë dhe sektorin e energjisë, shkruan KOHA.
Në mesin e projektligjeve të miratuara janë edhe Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, ndërsa në fushën e energjisë ka miratuar Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë, si dhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, i cili synon parandalimin e vonesave në pagesa dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe kamatëvonesat në transaksionet ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.



