
Kryetari i Vitisë thekson rolin e diasporës dhe rëndësinë e vendimit të drejtë për të ardhmen e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve që kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit, duke i cilësuar ata si forcë, energji dhe shtyllë të rëndësishme të vendit.
“Mirë se erdhët në shtëpi, të gjithë ju mërgimtarëve që keni ardhur dhe që do të vini këto ditë të fundvitit për t’i kaluar festat në tokën që e doni dhe që ju do. Ju uroj ditë të mbushura me paqe, ngrohtësi familjare dhe gëzim të vërtetë”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka vlerësuar lart kontributin e diasporës në periudha të vështira për Kosovën, duke theksuar se mërgata ka qenë mbështetje jetike për familjet, ekonominë dhe shpresën. “Kur këtu ka pasur mungesë, ju keni qenë teprica e zemrës. Kjo është vepër, jo thjesht kontribut”, u shpreh ai.
Haliti theksoi se këto ditë festash janë edhe ditë reflektimi për të ardhmen e vendit, duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe drejtim të qëndrueshëm. Ai tha se vendi nuk ka luksin e improvizimeve dhe se duhet një rrugë që bashkon shoqërinë, ndërton shtetin dhe respekton dinjitetin e qytetarëve.
Në fund, kryetari i Vitisë uroi që festat të sjellin gëzim në familjet e mërgimtarëve dhe që kthimi i tyre në atdhe të shërbejë si një shtysë pozitive për të ardhmen e Kosovës.



