
Pas disa orësh pa akses, kanali i televizionit u rikthye dhe vijon transmetimi i episodit që ka shkaktuar reagime politike.
Mëngjesin e së hënës, kanali në YouTube i televizionit Tëvë1, ishte i paqasshëm, duke ngritur spekulime mbi arsyet e mbylljes së kanalit. Ende nuk dihet nëse shkak ishte ndonjë problem teknik, një çështje e të drejtave të autorit (copyright), apo ndonjë penalizim tjetër që lidhej me përmbajtjen e televizionit.
Pas disa orësh, kanali u rikthye dhe bashkë me të transmetimi i emisionit humoristik të njohur “Logjikonomia”.
Episodi i fundit satirizonte mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë në Komunën e Mitrovicës, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga mediat opozitare, të cilat e interpretonin situatën si një sulm kibernetik të mundshëm nga qeveria.



