
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se qetësia dhe dinjiteti i treguar gjatë Marshit për Liri i bën nder sakrificës së atyre që kanë luftuar për Kosovën dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë.
E ka thënë këtë tek ka falënderuar organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që paqësisht kërkuan liri për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, katër ditë para se Specialja të nxjerrë vendimin.

“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë. Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka shkruar ajo në Facebook pas marshit të platformës “Liria ka Emër” që tha se në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë.



