
Gazetarja Mimoza Koprani-Muçaj ka reaguar ashpër pas raportimeve se autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar një sasi të madhe të mishit të viçit me afat të skaduar, që ishte destinuar për tregun e Kosovës.
Koprani-Muçaj ka kritikuar tregtarët që importojnë produkte ushqimore në Kosovë, duke përdorur tone të ashpra.
“Mblidheni krejt bërllogun, mblidhini krejt qelbësirat e sillni në Kosovë, o tregtarë të qelbur”, ka shkruar Koprani-Muçaj.
Reagimi vjen pasi autoritetet malazeze njoftuan se të enjten, në Portin e Tivarit, kanë ndaluar një kontejner me 1 mijë e 321 paketime mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24 mijë e 650 kilogramësh.
Sipas Drejtorisë së Doganave të Malit të Zi, ngarkesa ishte e destinuar për kompaninë kosovare “Apetiti SHPK”.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj 2026.



