
Hysamedin Feraj ka reaguar rreth debatit për raportin e Perëndimit me vendet me shumicë myslimane, duke marrë si shembull ndërhyrjet e NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.
Feraj ka thënë se, sipas tij, dy luftërat që NATO ka zhvilluar në historinë e saj kanë qenë në mbrojtje të vendeve me shumicë myslimane, ndërsa ka bërë krahasimin edhe me Ukrainën.

“Në historinë e vet NATO ka bërë dy luftëra. Të dyja në mbrotje të dy vendeve me shumicë thuajse absolute myslimane: në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Ende nuk ka hyrë në luftë në mbrojtje të një vendi me popullsi thuajse absolute të krishterë: Ukrainës”, ka shkruar Feraj.
Ai ka argumentuar se kjo, sipas tij, dëshmon se Perëndimi nuk vepron mbi logjikën e ndarjeve fetare.
“Perëndimi nuk është mesjetar. Serbia e di këtë më së miri, sepse të dy luftërat e vetme të NATO-s kanë qenë kundër saj!”, ka shkruar ai.
Feraj ka lidhur reagimin e tij edhe me debatin e fundit rreth dokumenteve të publikuara në rastin e dyshimeve për spiunazh, duke përdorur termin “leptirët” për të kritikuar ata që, sipas tij, përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga rreziku serb.
“Vetëm ‘leptirët’ e saj shqiptarë kanë ngecur në mesjetë, prandaj Perëndimin e shohin si veten. Dhe vetëm sepse, mbasi u zbuluan, duan të mos flitet për rrezikun serb por për çfarëdo tjetër”, ka deklaruar Feraj.
Ai e ka përfunduar reagimin duke thënë se këto përpjekje, sipas tij, nuk përbëjnë ndonjë argument të veçantë, por janë maksimumi që mund të bëhet “në këto momente të vështira për ta”.



