Justina Shiroka-Pula ia vazhdon mandatin Vasfije Krasniqit në Presidencë

Vasfije Krasniqi ka njoftuar se do të vazhdojë angazhimin e saj në Presidencën e Kosovës, duke publikuar një letër falënderimi për mbështetjen që ka marrë në punën e saj për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Krasniqi ka falënderuar ish-presidenten Vjosa Osmani për emërimin e saj si e Dërguar e Posaçme Presidenciale për Çështjet e Dhunës Seksuale gjatë luftës.

“Së pari, dua ta falënderoj nga zemra Presidenten Vjosa Osmani, e cila më dha nderin dhe besimin të shërbej pranë Presidencës si e Dërguar e Posaçme Presidenciale për Çështjet e Dhunës Seksuale gjatë luftës. Për mua, ky nuk ishte vetëm një detyrë apo një titull, por një përgjegjësi e madhe ndaj të gjitha viktimave dhe të mbijetuarave që kanë mbajtur mbi supe dhimbje të patreguara”, ka shkruar Krasniqi.

Ajo ka falënderuar edhe Albulena Haxhiun, duke thënë se mbështetja e saj mundësoi hapjen e zyrës dhe krijimin e më shumë hapësirës për adresimin e nevojave të të mbijetuarave.

Krasniqi ka bërë të ditur se ka marrë vendimin për vazhdimin e punës së saj në Presidencë, ndërsa ka falënderuar presidenten Justina Shiroka-Pula për angazhimin ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Sot, me shumë emocion, mora vendimin për vazhdimin e punës sime në Presidencë, një vendim që për mua ka një domethënie të veçantë. Dua ta falënderoj përzemërsisht edhe znj. Justina Shiroka-Pula, e cila me përkushtimin dhe angazhimin e saj të palodhur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, ka treguar se kjo çështje meriton të trajtohet me dinjitet, përgjegjësi dhe njerëzi”, ka deklaruar ajo.

Krasniqi ka theksuar se vazhdimin e angazhimit nuk e sheh vetëm si mundësi personale, por si përgjegjësi ndaj të mbijetuarve që kërkojnë drejtësi, njohje dhe dinjitet.

“Puna vazhdon. Zëri ynë vazhdon. Dhe kujtesa jonë nuk do të heshtë”, ka përfunduar Krasniqi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.