Kica-Xhelili kritikon VV-në: Për disa politikanë s’vlejnë ligjet, shteti i nënshtrohet pushtetit

Nënkryetarja e LDK-së ndan politikanët në dy grupe, duke akuzuar Vetëvendosjen për qasje selektive ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike, duke bërë një ndarje të politikanëve në “dy grupe” dhe duke e akuzuar drejtpërdrejt Vetëvendosjen se e përdor ligjin dhe Kushtetutën sipas interesit të pushtetit.

Ajo thekson se grupi i parë janë ata që e vendosin shtetin mbi individët në pushtet dhe refuzojnë të normalizojnë shkeljet kushtetuese. “S’kishte qeveri legjitime, s’ishte as Kuvendi i njëjtë që kishte votuar qeverinë… Shteti pra, është mbi pushtetarët,” shkruan ajo.

Ndërsa grupin e dytë, në të cilin e pozicionon VV-në, e përshkruan si politikanë që besojnë se ligjet nuk vlejnë kur i pengojnë dhe se Kushtetuta zbatohet selektivisht. “Për ta, i gjithë shteti duhet t’i nënshtrohet një mendësie që i mbyll sytë ndaj çdo standardi shtetëror e ligjor,” shkruan Kica-Xhelili, duke iu referuar thirrjeve të VV-së: “Pse s’e votuat buxhetin?”, pa analizë ligjore e institucionale.

Ajo e mbyll reagimin e saj me qëndrimin se ndarja është fundamentale: “O e ngrisim shtetin mbi tekat e pushtetit, o presim që tekat e pushtetit të bëhen shtet.”

Back to top button