Kurti: Partitë shqiptare të Luginës arrijnë marrëveshje për listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Marrëveshja është arritur të martën në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit të përfaqësuesve politikë të Luginës me kryeministrin Albin Kurti. PVD-ja kishte njoftuar më herët se Shaip Kamberi do të jetë kandidat i saj për deputet në zgjedhjet e 25 tetorit. 

“Sot, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët ‘Koalicioni Shqiptar’, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka falënderuar drejtuesit e tetë subjekteve politike, duke thënë se përtej dallimeve kanë arritur të marrin një përgjegjësi të përbashkët ndaj qytetarëve.

Kurti ka kërkuar gjithashtu përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, duke e krahasuar atë me ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, përfaqësimi i garantuar duhet të zbatohet me të njëjtin parim si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Kurti ka përmendur edhe pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, gjuhën, kulturën dhe simbolet si çështje me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre”, ka deklaruar Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.