Kurti-Starmerit: Kosova nuk është burim migrimi, jemi të gatshëm t’ju mbështesim

Në takimin me homologun britanik, kryeministri në detyrë i Kosovës diskutoi për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe migracionin, duke falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në kuadër të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet këtë vit në Londër.

Në një postim në platformën “X”, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit me Starmerin është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe për temat qendrore të samitit, përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe migracionin.

Ai e falënderoi homologun britanik për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it, si dhe për qëndrimet e qarta të Londrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mbështetje të njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Kurti gjithashtu vlerësoi kërkesën e kryeministrit Starmer drejtuar Serbisë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si “përgjegjësin kryesor” për sulmin terrorist në Banjskë.

“Kosova nuk është burim migracioni dhe ka treguesit më të fortë të sundimit të ligjit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sipas World Justice Project,” theksoi Kurti, duke shtuar se Kosova është e gatshme të mbështesë Britaninë në menaxhimin e flukseve migratore dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Back to top button