Kurti takohet me Plenkoviqin: Aktgjykimi i Speciales është i pasaktë, i padrejtë dhe i rëndë

Albin Kurti është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe zhvillimet që lidhen me Kosovën.

banner

Kurti ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë bashkëpunim të mirë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa synojnë thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Si dy vende që kanë luftuar për çlirim e pavarësi nga i njëjti regjim, si ai i Millosheviqit, dihet mirëfilli se kush ka kryer krime në katër luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ka qenë e pastër dhe çlirimtare karshi regjimit gjenocidal të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

banner

Ai ka thënë se gjatë takimit e ka paraqitur qëndrimin e tij edhe për vendimin e Speciales.

“Prandaj, theksova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, përveçse i pasaktë, është i padrejtë dhe i rëndë”, ka deklaruar Kurti.

Në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur gjatë luftës. Kurti ka akuzuar Serbinë se vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe të klasifikuara arkivat që, sipas tij, janë të rëndësishme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Ai ka ngritur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar pasivizimin e adresave dhe përjashtimin nga institucionet si “spastrim etnik administrativ”.

Kurti ka thënë se me Kroacinë është rritur edhe bashkëpunimi ushtarak dhe në fushën e mbrojtjes, ndërsa e ka falënderuar Zagrebin për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe proceseve të integrimit evropian e euroatlantik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.