
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për formimin e institucioneve të reja.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kuvendi i partisë, i mbajtur më 30 korrik, ka konfirmuar pjesëmarrjen e LDK-së në procesin e negociatave me LVV-në.

“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, ka thënë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka bërë të ditur se LDK-ja ka vendosur tri parime për bashkëpunimin me LVV-në: marrëveshje për të gjitha institucionet ose për asnjërën, një agjendë të përbashkët shtetërore dhe qeverisëse, si dhe ndarjen e përgjegjësive.
“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave”, është shprehur ai.
Sipas Hazirit, këto parime i janë prezantuar LVV-së që në takimin e 10 korrikut mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit, ndërsa tani pret që partia fituese të tregojë nëse i pranon ato.
“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore”, ka deklaruar Haziri.



