
Nënkryetari i LDK-së e cilëson protestën si “reagim qytetar” dhe thotë se përballja me drejtësinë “nuk është turp”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka konfirmuar se ka marrë pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Tiranë.
Në një prononcim për Vox Kosova, Haziri tha se vendosi të bashkohej me protestuesit sepse është “veteran i luftës” dhe se e sheh këtë manifestim si një “reagim qytetar”.
“Është reagim qytetar. Jam veteran i luftës. Gjithçka që më lidh, kam vendosur për herë të parë pas shumë viteve të marr pjesë në një manifestim që është më shumë reagim i njerëzve të Kosovës,” tha Haziri.
Ai shtoi se përballja me drejtësinë nuk duhet parë si turp apo pengesë, por si detyrim moral dhe qytetar.
“Përballja me drejtësinë nuk është as hendikep, as turp. Zbardhja e të kaluarës është obligim qytetar. Edhe ata që janë atje tani, edhe ata që janë ballafaquar më herët me drejtësinë në Hagë, e kanë bërë këtë,” theksoi ai.
Sipas Hazirit, dështimet në proceset gjyqësore që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk janë përgjegjësi e tyre, por pasojë e mekanizmave të drejtësisë ndërkombëtare.
“Dështimi i mekanizmave të drejtësisë në Hagë është proces i yni, jo i atyre,” përfundoi Haziri.



