
Veprimet përfshijnë intervistimin e kryesuesve dhe komisionerëve në Ferizaj, Hani i Elezit dhe Shtime, ndërsa priten raportet për Kaçanikun dhe Shtërpcën.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime me vota në komunat që janë në kompetencën e saj.
Sipas njoftimit, Policia do të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit për Komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në Shtime, në cilësinë e të dyshuarve. Për komunat Kaçanik dhe Shtërpcë, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.
Bazuar në raportet e pranuara nga Ferizaji, të cilat përfshijnë 153 vendvotime, manipulimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët: vetëm një kandidat ka pasur shtim prej 7 votash, ndërsa kandidatët e tjerë kanë pasur nga 1 deri në 3 vota.
Në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt. Ndërkohë, në Shtime janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, ku tre kandidatë kanë pasur një numër votash të shtuar prej 10 deri në 45 vota.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në procedurë të rregullt, duke intervistuar të gjithë të dyshuarit, përveç nëse lindin rrethana që kërkojnë veprime shtesë. Autoriteti i Ferizajt nënvizon angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke premtuar hetim të çdo rasti të dyshuar.



