
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerëson se çdo rritje e kapaciteteve ushtarake të Serbisë e shoqëruar me retorikën që cenon sovranitetin e Kosovës, kërkon vëmendje serioze.
Maqedonci në një intervistë për “KOHËN” ka thënë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet aleate mbeten shtylla kryesore e sigurisë sonë. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës duhen të ndihen të sigurt dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po forcohet çdo ditë.

KOHA: Si i komentoni deklaratat kërcënuese të zyrtarëve të lartë të Serbisë?
Maqedonci: Fatkeqësisht, udhëheqja e Serbisë vazhdon të promovojë narrativa që mohojnë realitetin e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Një qasje e tillë hegjemoniste dhe retorikë e përsëritur nuk i shërben paqes, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon. Deklarata e Përbashkët ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë po interpretohet nga presidenti Vuçiq si një kërcënim, ndonëse ajo nuk ka qëllim të tillë, por synon forcimin e bashkëpunimit dhe kontributin për sigurinë rajonale, në përputhje me standardet euroatlantike. Kjo po përdoret për ta ushqyer narrativën e rrezikimit të Serbisë dhe për të arsyetuar vazhdimin e militarizimit të saj, i cili në fakt ka nisur shumë kohë përpara kësaj deklarate. Po aq shqetësues mbetet fakti se personat dhe grupet e armatosura përgjegjëse për sulmet terroriste në veri të Republikës së Kosovës vazhdojnë të gjejnë strehim dhe mbështetje në Serbi, pa u përballur me drejtësinë. Kjo, së bashku me retorikën revizioniste dhe militarizimin e vazhdueshëm, e bën Serbinë të mbetet burim jostabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës nuk kërcënon askënd dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë, ndërsa zhvillojmë kapacitetet tona mbrojtëse për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve tanë.
KOHA: Po e shohim që Serbia vazhdimisht po i rrit kapacitetet ushtarake. Ky forcim i Serbisë, a paraqet rrezik për sigurinë në vend?
Maqedonci: Ne i përcjellim me vëmendje zhvillimet e sigurisë në rajon, përfshirë modernizimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, në koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjikë. Çdo rritje e kapaciteteve ushtarake e shoqëruar me retorikë që cenon sovranitetin e Kosovës kërkon vëmendje serioze, por qytetarët duhet të ndihen të sigurt. Ministria e Mbrojtjes po mbështet intensivisht zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes modernizimit të armatimit dhe pajisjeve, ngritjes së kapaciteteve operacionale, avancimit profesional të personelit, zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe forcimit të ndërveprueshmërisë me aleatët. Këto investime e kanë bërë Kosovën dukshëm më të përgatitur se më parë. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet aleate mbetet shtylla kryesore e sigurisë sonë. Prandaj, qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndihen të sigurt. Kosova është e sigurt dhe çdo ditë po forcon më tej kapacitetet e saj mbrojtëse, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një faktor stabiliteti në rajon dhe një kontribuuese të besueshme për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, krah aleatëve tanë.
KOHA: Kur do të jetë e gatshme Kosova ta mbrojë veten?
Maqedonci:Ndërtimi i kapaciteteve mbrojtëse është një proces i vazhdueshëm dhe nuk matet me një datë të caktuar, por kërkon investime, modernizim dhe përshtatje të vazhdueshme me mjedisin e sigurisë. Në pesë vjetët e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur ndjeshëm mbështetjen buxhetore dhe institucionale për mbrojtjen, duke përshpejtuar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, rritur kapacitetet operacionale, investuar në sisteme moderne të armatimit dhe forcuar bashkëpunimin me partnerët strategjikë. Kosova tashmë ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme dhe po rrit çdo vit gatishmërinë e saj. Synimi ynë është një forcë moderne, profesionale dhe plotësisht e ndërveprueshme me NATO-n, e aftë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Edhe shtetet më të fuqishme mbështeten në aleanca strategjike. Prandaj, forcimi i kapaciteteve tona shtetërore dhe partneriteti me aleatët janë procese që plotësojnë njëri-tjetrin.
KOHA: A jeni duke punuar në drejtim të këtij “pavarësimi”?
Maqedonci:Ne po punojmë çdo ditë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës përmes zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, rritjes së buxhetit për mbrojtjen, modernizimit të pajisjeve, zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë. Një shtyllë e rëndësishme e këtij vizioni është Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, i cili synon të rrisë qëndrueshmërinë, rezistencën dhe gatishmërinë e shtetit për përballje me kërcënime dhe kriza, përmes koordinimit të institucioneve dhe përfshirjes qytetarëve në sistemin e mbrojtjes së vendit tonë, në përputhje me praktikat më të mira të vendeve aleate. Qëllimi ynë nuk është të zëvendësojmë partneritetet me aleatët, por ta bëjmë Kosovën një shtet me kapacitete gjithnjë e më të mëdha mbrojtëse dhe një partner gjithnjë e më të besueshëm në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes. Investimet tona në mbrojtje synojnë parandalimin e kërcënimeve, jo krijimin e tyre, sepse siguria ruhet më së miri me institucione të forta, kapacitete të zhvilluara mbrojtëse dhe aleanca të qëndrueshme. Vizioni ynë është që Republika e Kosovës të jetë jo vetëm një vend i sigurt për qytetarët e saj, por edhe një kontribuuese aktive për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet aleate.



