
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri mëngjesin e së shtunës janë numëruar mbi 93 për qind e votave, përkatësisht 2,506 nga 2,691 vendvotime.
Sipas KQZ-së, procesi i numërimit po vazhdon vetëm në Prishtinë, e cila mbetet komuna e vetme pa e përfunduar këtë proces. Deri tani janë proceduar 214 nga 262 vendvotime në kryeqytet.
Bazuar në rezultatet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje prin me 44.09 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.82 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 17.07 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.09 për qind.
Sipas përllogaritjeve aktuale të mandateve, Vetëvendosje ka siguruar 50 ulëse në Kuvend, PDK-ja 23, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 8 deputetë.



