
Policia e Kosovës në një komunikatë të përbashkët me Prokurorinë Speciale, ka njoftuar se nëntë të ndaluarit nën dyshimin për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut, janë ndaluar për 48 orë, shkruan KOHA.
Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se pas kontrollit në disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut, janë gjetur e sekuestruar; telefona mobilë, libreza ushtarake, armë, para të gatshme e prova të tjera.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut. Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar këto prova materiale si në vijim: nëntë (9) telefona mobilë; dy (2) libreza ushtarake; një (1) armë e gjatë dhe një (1) pushkë gjuetie; fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë; katër (4) predha; para të gatshme në shumën rreth 23,000 (njëzet e tre mijë) euro; para të gatshme në shumën rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) dinarësh serbë; si dhe prova dhe materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.



