
Sot shënohet nëntë vjetori i rastit të Astrit Deharit, aktivist i VV-së, që ndërroi jetë në burgun e Prizrenit.
Që nga atëherë, rasti ende nuk ka marrë një epilog nga organet e drejtësisë, shkruan Gazeta Politika.
Në nëntë vjetorin e rastit, Albin Kurti, kryetar i VV-së, ka bërë homazhe te varri i Deharit.
Kurti ka folur për rastin e Deharit, duke e vendosur theksin e mungesa e avancimit cilësor në hetime.
“S’ka avancim cilësor. Si Qeveri jemi në gjendje gatishmërie, të vullnetshëm dhe të interesuar që ta ndihmojmë Prokurorinë. Mirëpo 9 vjet janë shumë, edhe 9 muaj janë shumë pa u sjell drejtësia”, ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Politika.
“Sistemi i drejtësisë të bëjë shumë më tepër, sepse kjo padrejtësi, ky krim është një plagë e hapur, jo vetëm për familjen Dehari dhe LVV por për mbarë popullin e Kosovës…Është prokuroria që duhet të bëjë shumë më tepër që të sillet drejtësia. Si Qeveri dhe LVV na kanë në dispozicion, por ne punën e Prokurorisë edhe të sistemit të Drejtësisë s’mund ta bëjmë. Janë shtylla të ndara të pushtetit” – ka theksuar Kurti.



