
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se emri i saj nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë pengesë për krijimin e institucioneve të Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Osmani tha se nuk do të lejojë që emri i saj të përdoret si arsye për bllokimin e proceseve institucionale.
“Emri im kurrë nuk ka qenë pengesa në krijimin e institucioneve as kurrë nuk do të jetë. Unë nuk do ta lejoj në asnjë mënyrë që emri im të shndërrohet në pengesë për krijimin e institucioneve”, deklaroi ajo.
Osmani theksoi se do të vazhdojë të mbrojë integritetin e punës së saj dhe interesat e shtetit, duke shtuar se kontributi i saj nuk varet nga mbajtja e një funksioni publik.
“Mua nuk më duhen pozita për të kontribuar për këtë shtet. Do ta mbroj punën time me çdo mjet ligjor dhe me çdo mjet politik”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se, pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarëve politikë për ta larguar nga skena, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga angazhimi publik.
“Mua nëpër parti të ndryshme ma kanë shpallë vdekjen politike me qindra herë, por ja që nuk do të ndodhë një gjë e tillë”, deklaroi Osmani.



