Panduri thotë se po përndiqet nga persona të lidhur me BIA-n serbe, rastin e denoncon në Polici

Gazetari Ermal Panduri, autor i emisionit Debat Plus ka paraqitur në Policinë e Kosovës një rast të shqetësimit ndaj tij.

Panduri në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se ka disa ditë që pronari i një medie, të cilës ai nuk ia ka përmendur emrin, i dërgon foto e video nga përditshmëria e tij një zyrtari të Listës Serbe. Panduri këtë gjë e ka quajtur përndjekje ndaj tij.

banner

“Disa ditë më parë, shefi i Departamentit të Analitikës së BIA-s, Relja Željko, më cilësoi si “njeri të rrezikshëm” dhe me “qasje antiserbe”. Sot, pronari i një medie (le ta quajmë kështu), që i dërgon tortë zyrtarit të Listës Serbe, publikon fotografi e video të vazhdueshme nga përditshmëria ime, në rrethana që ngjajnë me përndjekje”- ka shkruar gazetari Panduri.

Ai ka bërë të ditur se rastin tanimë e ka denoncuar në Policinë e Kosovës.

“Sonte e denoncova në Policinë e Kosovës dhe kërkova edhe ekzaminimin e telefonit”.

Tutje ai ka theksuar se situata të ngjashme po i përsëriten në kohën kur emisioni që drejton prekë njerëzit që ai i ka quajtur “UDB-ashë”.

“Nuk është larg mendsh që kjo të ketë ndërlidhje edhe me edicionin e kësaj vere të “Debat Plusit”, ku prekëm sërish UDB-ashët. Të cilët mund të jenë aktivizuar prapë… Ne vazhdojmë punën, në profesionin që tentojnë ta baltosin herë pas here, por që mbetet më i miri në botë”- ka shkruar gazetari Panduri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.