
Ajo thotë se Nagavci mund të shkëlqejë diku tjetër, ndërsa Vitisë i kërkon rezultate konkrete në shëndetësi.
Paulina Nushi-Muhaxhiri ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke vlerësuar se Hajrulla Çeku është zgjedhje shumë më e mirë për drejtimin e Ministrisë së Arsimit sesa Arbërie Nagavci.
Sipas saj, vetë Nagavci e ka kuptuar se nuk duhet të vazhdojë në krye të MASHT-it, pasi ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka diskutuar me kryeministrin për angazhime të tjera.
“Zonja Nagavci mund të shkëlqejë diku tjetër, por jo te MASHT-i”, ka theksuar Nushi-Muhaxhiri, duke uruar suksese ministrit të ri. Ajo ka shtuar se dikasteri i Arsimit është pikënisja e ndërtimit të shtetit dhe kërkon përkushtim maksimal.
Ndërkohë, ajo ka komentuar edhe mundësinë e një mandati tjetër për Arben Vitinë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, duke thënë se ai ose do ta “nënshkruajë kapitullimin e tij”, ose do t’i vërë në funksion të gjithë mekanizmat për të sjellë ndryshime reale në këtë sektor.
“Le të shohim”, ka përfunduar ajo.



