PDK-ja me reagime të ashpra ndaj ambasadorit britanik – deputeti i VV-së del në mbrojtje të raporteve me aleatët

Deklarata e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, se dënimet e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë kanë të bëjnë me “krime individuale” ka nxitur një varg reagimesh nga Partia Demokratike e Kosovës dhe zyrtarë të saj.

Hargreaves deklaroi se dënimet kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme dhe se ato “në asnjë mënyrë” nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për ta përcaktuar të ardhmen e saj. Ai theksoi gjithashtu të drejtën e të dënuarve për apel. 

PDK-ja, në reagimin zyrtar, e ka cilësuar deklaratën e ambasadorit si “reduktim të papranueshëm diplomatik” të aktgjykimit, duke argumentuar se vendimi ka pasoja më të gjera historike dhe politike.

Sipas PDK-së, në arsyetimin e Dhomave të Specializuara është përdorur koncepti i ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe katër ish-krerët e UÇK-së janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në një qëllim kriminal të përbashkët. Partia ka argumentuar se për këtë arsye aktgjykimi nuk mund të reduktohet, sipas saj, vetëm në “krime individuale”. 

“Asnjë gjuhë diplomatike nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e papranueshme të këtij aktgjykimi dhe as pasojat e tij në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së. Partia ka pretenduar gjithashtu se Dhomat e Specializuara janë bërë “shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë”. 

Para reagimit zyrtar të partisë, ndaj Hargreavesit kishte reaguar edhe Vlora Çitaku. Ajo e kundërshtoi drejtpërdrejt formulimin e ambasadorit për “krime individuale”.

“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës”, shkroi Çitaku, duke shtuar: “Mos na qitni hi syve”. 

Çitaku ka argumentuar se pesha e aktgjykimit shkon përtej katër të dënuarve dhe ka thënë se PDK-ja nuk do të heshtë përballë asaj që ajo e sheh si përshkrim të luftës së UÇK-së “me gjuhën e kriminalitetit”. 

Edhe Artan Behrami ka kërkuar reagim institucional nga Qeveria, duke thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet ta thërrasë ambasadorin britanik në konsultime.

“Pas këtyre deklaratave të ambasadorit britanik, MPJD-ja duhet ta thërrasë në konsultime. Heshtja e Qeverisë ndaj këtyre deklaratave është miratim i këtij narracioni antihistorik”, ka deklaruar Behrami.

Ai ka shkuar më tej, duke e cilësuar aktgjykimin politik dhe duke pretenduar se “në Hagë është dënuar me 81 vjet burg qëllimi i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

Reagim të ashpër ka bërë edhe Mërgim Lushtaku, i cili e ka quajtur deklaratën e Hargreavesit “të turpshme”.

“Deklarata e ambasadorit britanik është e turpshme. Ajo e shpërfaq qartë se sa i thellë është komploti dhe presioni ndaj Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka pretenduar se dënimet nuk lidhen me drejtësinë, por me presionin politik ndaj Kosovës, duke i ndërlidhur ato edhe me procesin e dialogut Kosovë–Serbi dhe Asociacionin. “Ata janë të burgosur politikë, ndërsa dënimi i tyre është shantazh dhe presion ndaj Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku.

Ndërkohë, reagimet e PDK-së kanë nxitur edhe kundërreagim nga deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Ai ka thënë se kritikat mund të bëhen, por ka kërkuar të shmanget gjuha që, sipas tij, dëmton raportet me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në. 

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.