
Në Forumin për Sigurinë në Kongresin Amerikan, kryeparlamentari theksoi nevojën për integrim euroatlantik dhe rritje të investimeve në mbrojtje, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-të strategjik.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit shqiptar, Niko Peleshi, ngriti shqetësimin për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë të ndjeshme gjeopolitike ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.
Gjatë fjalës së tij në Forumin për Sigurinë, të mbajtur në Kongresin Amerikan, Peleshi paralajmëroi se përpjekjet për destabilizim synojnë të minojnë institucionet demokratike dhe të dobësojnë besimin e vendeve të rajonit në rrugën euroatlantike.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh ai.
Me mesazhin se “siguria ka kosto dhe përgjegjësia duhet ndarë”, kryeparlamentari kujtoi vendimin e Samitit të NATO-s në Hagë për rritjen e investimeve në mbrojtje, duke theksuar se edhe Shqipëria po ndjek të njëjtën linjë.
Sipas tij, këtë vit vendi po investon 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me një plan të qëndrueshëm rritjeje në vitet e ardhshme, në përputhje me angazhimet e Aleancës.
Në forum, ku morën pjesë senatorë e kongresmenë amerikanë, përfaqësues të lartë të sigurisë dhe personalitete ushtarake, Peleshi nënvizoi se partneriteti Shqipëri–SHBA mbetet strategjik dhe afatgjatë, i bazuar në vlera të përbashkëta si demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.



