
Alteo Pepa tregon momentet e para të konfliktit mes Daniel Pepës, Aranit Kurtut dhe Florit, që përfundoi me dy të vrarë në orët e para të mëngjesit.
Është zbardhur dëshmia e plotë e kamerierit Alteo Pepa, i cili ndodhej në lokalin ku ndodhi vrasja e dyfishtë në Manëz të Durrësit, në orët e para të mëngjesit. Në rrëfimin e tij përpara hetuesve, Pepa ka treguar se gjithçka nisi pas një kërkese për kafe nga Daniel Pepa dhe shoku i tij, Aranit Kurtu.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1:00 – 1:30 dhe kanë kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe, se ekspresi ishte fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, por i shpjegova që nuk bëhej në atë orë. Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah,” – ka treguar kamerieri.
Sipas dëshmisë së tij, pas debatit verbal situata doli jashtë kontrollit. “Nga lokali dolën te dera dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit. Më pas Danieli mori armën dhe qëlloi mbi Florin, duke e lënë të vdekur në vend,” – ka pohuar Pepa.
Ngjarja tronditëse ka vënë në lëvizje forcat e policisë dhe grupin hetimor, ndërsa po mblidhen prova të tjera për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit që përfundoi me dy viktima.



