
Pas humbjeve të rënda në gjithë Maqedoninë e Veriut, koalicioni i BDI-së, Taravarit dhe Selës kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare
Përkundër humbjeve të thella në zgjedhjet lokale, koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) — që përfshin BDI-në, Aleancën për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe atë të Ziadin Selës — ka dalë me kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zëdhënësi i AKI-së dhe nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në një intervistë për Alsat, deklaroi se kërkesa nuk lidhet me etjen për pushtet, por me nevojën për të reflektuar “vullnetin e qytetarëve” në përfaqësimin institucional.
“Ne nuk kërkojmë zgjedhje të parakohshme që me çdo kusht BDI apo AKI të jetë në pushtet. Nëse fitues janë ata që aktualisht janë në pushtet, le të qeverisin, por jo duke u bërë vegla të VMRO-DPMNE-së,” tha Ademi.
Sipas tij, raportet aktuale politike tregojnë nevojën për një përditësim të përfaqësimit në Kuvend, ndonëse rezultatet lokale dëshmojnë një rritje të dukshme të opozitës shqiptare, e udhëhequr nga koalicioni VLEN.
VLEN shpallet fitues në shumicën e komunave shqiptare
Koalicioni opozitar VLEN (i përbërë nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa) doli fitues absolut në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke mposhtur AKI-në në shumicën e komunave shqiptare, përfshirë edhe bastionet tradicionale të BDI-së.
Në Çair, Izet Mexhiti fitoi ndaj Bujar Osmanit; në Saraj, Muhamed Elmazi nga Lëvizja Demokratike mundi Burim Ramadanin; ndërsa në Haraçinë, Daut Beqiri triumfoi kundër Skender Isufit.
AKI humbi gjithashtu në Tetovë, Zhelinë, Tearcë, Bogovinë, Pollog, si dhe në Dibër e Strugë, ndërsa në Gostivar dhe Vrapçisht nuk arriti as censusin.
Mexhiti, fitues edhe në garën për lider kombëtar shqiptar
Në garën politike për lider shqiptar në nivel kombëtar, Izet Mexhiti ka dalë triumfues, duke mposhtur figurat më të njohura të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut — përfshirë Ali Ahmetin (Çair e Saraj), Ziadin Selën (Haraçinë), Arben Taravarin (Saraj), Blerim Bexhetin (Saraj) dhe Bujar Osmanin (Çair).
Rezultatet tregojnë se Mexhiti ka fituar besimin e elektoratit si figura e re e unitetit opozitar dhe simbol i ndryshimit politik, ndërsa për herë të parë pas më shumë se dy dekadash, BDI dhe aleatët e saj humbin dominimin në shumicën e komunave shqiptare.



