Petritsch: Epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së ka përfunduar

Ish-diplomati austriak thotë se roli i SHBA-së në Ballkan po tkurret dhe se Kosova duhet ta zhvendosë fokusin strategjik drejt Evropës dhe kompromisit të brendshëm.

Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, vlerëson se epoka e aleancës tradicionale mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, e ndërtuar pas vitit 1945, ka marrë fund, duke hyrë në një fazë të re pasigurie globale që ndikon veçanërisht shtetet e vogla dhe të brishta si Kosova.

banner

Në një intervistë për Exposenë e Radios Evropa e Lirë, Petritsch thekson se në Ballkanin Perëndimor roli i SHBA-së po zvogëlohet si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik, ndërsa rajoni po shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane. Sipas tij, Kosova, e cila nuk është anëtare as e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtatet me këtë realitet të ri ndërkombëtar.

“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova paraqet sfida edhe më të mëdha sesa për ato që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian”, shprehet Petritsch.

Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor si pasojë e një angazhimi më të ulët amerikan, duke theksuar se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në kufijtë e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.

Sa i përket sigurisë, Petritsch vlerëson se kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element i rëndësishëm, por thekson se pesha e tij në të ardhmen do të varet në masë të madhe nga marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë.

Sipas tij, Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por duhet të shmangë pritjet se SHBA-ja do të “zgjidhë” problemet rajonale si në fund të viteve ’90. Në vend të kësaj, ai thekson se e ardhmja e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës lidhet ngushtë me integrimin evropian, stabilitetin politik të brendshëm dhe arritjen e një kompromisi të vërtetë me pakicat.

“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik e politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, përfundon Petritsch.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.