
Rumen Radev kërkon angazhim më serioz të institucioneve evropiane ndaj ndikimit të Beogradit në rajon, duke e quajtur “Botën Serbe” një projekt që synon kontrollin e shteteve fqinje.
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet projekti “Bota Serbe” në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të reagojë më seriozisht ndaj këtij fenomeni.
“Siç e dini, Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë dhe gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar atje,” tha Radev në një përgjigje për agjencinë bullgare BGNES, lidhur me paralajmërimet e BE-së mbi ndikimin e projektit të Beogradit në rajon.
Sipas tij, “ka ardhur koha që të gjitha institucionet evropiane të angazhohen më seriozisht me këtë çështje, sepse ajo është jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne.”
Radev shpjegoi se “Bota Serbe” është versioni i ri i projektit “Serbia e Madhe”, që synon të ushtrojë ndikim dhe kontroll mbi shtetet fqinje — përfshirë Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut — madje edhe përmes përpjekjeve për bashkim territorial me Serbinë.
“Instrumenti kryesor për realizimin e tij është Kisha Ortodokse Serbe,” ka nënvizuar presidenti bullgar, duke theksuar se një qasje më e bashkërenduar e BE-së është thelbësore për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon.



