Protestuesit dalin me 5 kërkesa: Dorëheqja e Ramës, qeveri teknike dhe ndryshime kushtetuese

Grupi Koordinues i Protestës ka publikuar një deklaratë politike me pesë kërkesa kryesore, të cilat i cilëson si të qarta, legjitime dhe të panegociueshme.

Në emër të protestuesve, grupi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

banner

Po ashtu, protestuesit kërkojnë ndryshime kushtetuese që do të miratoheshin me referendum popullor, përfshirë reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e financimit të partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë jetës politike.

Deklarata e plotë:

Grupi Koordinues i Protestës

Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, kërkojmë:

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.