Punëtorët e RTK-së nisin protestë për pagat e papaguara

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës paralajmëron protestë të enjten, duke kërkuar pagesën e rrogave dhe zgjidhje të krizës financiare në transmetuesin publik.

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës do të protestojnë të enjten në orën 11:00 për shkak të mungesës së pagave. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë brenda tre muajve që stafi i transmetuesit publik mbetet pa paga, gjë që po shkakton pasiguri ekonomike dhe vështirësi në funksionimin normal të institucionit.

Në njoftim thuhet se RTK gjendet para shumë projekteve me rëndësi për misionin publik dhe interesin e përgjithshëm të vendit, por kriza financiare po rrezikon realizimin e tyre dhe po dëmton rolin e RTK-së si medium publik i pavarur dhe gjithëpërfshirës.

“Sindikata u bën thirrje të gjithë kolegëve, pa asnjë përjashtim, të bashkohen në këtë protestë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën e tyre themelore për pagë”, thuhet në komunikatën e SPERTK-së.

Back to top button