
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se për kompromisin e arritur në minutat e fundit për zgjedhjen e presidentit, presion më të madh e kishte Partia Demokratike e Kosovës sesa partia të cilës ai i takon.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Qorrolli ka thënë se PDK-ja kishte si çështje kryesore Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa Vetëvendosje nuk dëshironte që vendi të shkonte në zgjedhje.
“Kompromisi u arrit në minutat e fundit për shkak se Partia Demokratike e kishte presionin më të madh sesa ne. Kishte Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërkohë ne s’dëshironim të shkonim në zgjedhje”, ka thënë Qorrolli.
Ai tha se çështjet ishin futur në një pako dhe se marrëveshja ishte diskutuar gjatë gjithë javës së fundit.
“Ne i futëm me një seancë, në një pako, sepse marrëveshja ishte jo vetëm atë ditë, por vijimisht gjatë javës së fundit. Nuk mund të thonë se z. Kurti nuk ka dëshiruar të arrijë marrëveshje apo që z. Kurti ka dëshiruar zgjedhje për shumë arsye”, ka theksuar ai.



