Radomiroviq thotë se ishte dëshmitar i rastit të rrëmbimit të serbit në kufi: E bëri grupi i Radoiçiq

Sipas Policisë së Kosovës, rasti dyshohet të ketë ndodhur në zonën kufitare të Leposaviqit, ndërsa dëshmitarët pohojnë se viktima është marrë nga persona të armatosur dhe është dërguar në Spitalin e Nishit. Ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq ka treguar versionin e tij të ngjarjes, duke akuzuar grupin e Milan Radoiçiqit për sulmin.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën ka pranuar informacione se një qytetar serb, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Rasti, sipas njoftimit, dyshohet se ka ndodhur në afërsi të zonës së Leposaviqit, në pjesën e njohur si “zona zero”, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka prani të shtuar të KFOR-it.

Në lidhje me këtë ngjarje, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se ishte dëshmitar i incidentit. Ai ka thënë se qytetarin Milan Vukashinoviq e ka rrëmbyer dhe plagosur grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Sipas Radomiroviqit, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 12:00, në fshatin Jelakce, afër kufirit me Serbinë, kur Vukashinoviq kishte shkuar për të blerë mjaltë nga një person i quajtur Daki Antiq, punonjës i Ushtrisë së Serbisë. Ai tha se në momentin e takimit, nga pylli kishin dalë persona të armatosur, me uniforma të zeza e jeshile dhe me maska, të cilët kishin hapur zjarr ndaj Vukashinoviqit.

“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka deklaruar Radomiroviq. Ai ka shtuar se pas plagosjes, grupi e ka transportuar Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes e më pas në Spitalin e Nishit, ku ndodhet nën kujdes mjekësor.

Sipas tij, Vukashinoviq është në gjendje të rëndë, pasi i është hequr një veshkë dhe ka plagë në shtyllën kurrizore. Radomiroviq pretendon se Radoiçiq ka hyrë në Kosovë bashkë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer të quajtur Sedlar.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, ka njoftuar dhe bashkëpunuar me KFOR-in, si forcë përgjegjëse për zonën kufitare.

“Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Rasti është iniciuar dhe hetimet janë në vazhdim”, thuhet në njoftim.

Policia ka shtuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave të saj ligjore dhe në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe të territorit të Republikës së Kosovës.

Back to top button