
Kryetari i Prishtinës akuzon Kuvendin për mbështetje financiare të një ekspozite që, sipas tij, cenon kujtesën kolektive.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila, sipas tij, është mbështetur dhe financuar nga institucioni më i lartë politik në vend.
Përmes një reagimi publik, Rama ka theksuar se Kuvendi duhet të japë llogari për miratimin dhe mbështetjen financiare të një ekspozite që, sipas tij, përdhos kujtesën kolektive të popullit të Kosovës dhe cenon dinjitetin e qytetarëve.
“Jo në Prishtinë ❌. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”, ka shkruar ai.
Deklarata e kryetarit vjen në kohën kur ekspozita ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe nga përfaqësues institucionalë, për shkak të pretendimeve për pasaktësi dhe shtrembërim të fakteve historike lidhur me masakrat e luftës në Kosovë.



