
Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Industrisë, dhe tre të akuzuarit e tjerë kanë dalë para gjykatës për rastin e quajtur “Rezervat shtetërore”.
Seanca është caktuar për ora 9:30.
Shqyrtimi fillestar ishte caktuar njëherë për 10 dhjetor, por pati dështuar pasi Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë, për çka është arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga gjykata.
Sikurse raporton KOHA, bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.



