
Në rastin për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar paraqitja e deklaratave përfundimtare.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi nuk deshën që të marrin fjalën në fund të këtij procesi.

Gjatë fundit të seancës, avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiral tha se Prokuroria foli disa orë për të argumentuar rastin e tyre por që sipas tij, asnjë fjalë nuk e folën për Kuçin.
“Ata folën për Fadil Fazliun dhe djalin e tij. Për Smakajn, për kompjuterin e tij. Folën për Zyrapin dhe thirrjet telefonike. Folën për dokumentin Smakaj…. rreth 11 versione elektronike për regjistrat e printimit. Për sa i përket temës së Kucit, asgjë!”, tha ai.
Ai tha se edhe në dokumentet e Prokurorisë nuk trajtohet asnjë fakt për Kuçin. Sipas tij, nuk u vërtetua se Kuçi ka kontaktuar ndonjë dëshmitarë.
Z. Kuçi nuk u mor kurrë në pyetje. Asnjë pyetje nuk iu bë atij për synimin dhe qëllimin e tij. Asnjëherë për gjatë këtyre dy viteve. Asnjë shënim nuk u gjetë, asnjë dëshmitar nuk u kontaktua, asnjë mesazh nuk u dërgua, asnjë takim nuk u bë”, tha ai.
Ngjashëm si në parashtrimet e tij të mëparshme, edhe këtë herë, Admiral kërkoi lirimin e klientit të tij.



