
Aktivistja Rita Beahadini ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ai po merret me reagimet e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në vend që të reflektojë për protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Në një reagim publik, Beahadini tha se Rama po sillet si “Vëllai i Madh” në rrjetet sociale, duke monitoruar se kush çfarë shkruan dhe shpërndan.
“Qenka kap kryeministri i Shqipërisë edhe me shqiptarët e Maqedonisë e Kosovës. Në vend që të reflektojë për qindra vetë në rrugët e Tiranës, bën Vëllaun e Madh në rrjete sociale se kush çka shkruan dhe çka shpërndan”, ka shkruar ajo.
Beahadini u ndal edhe te një thirrje e dëgjuar në protestë ndaj Ramës.
“Dikush në protestë iu drejtua me shprehjen ‘Shumë i padashur kryeministër’. I shkon shumë kjo shprehje, marrë parasysh krejt thirrjet për dorëheqje”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, ka ardhur momenti kur kontrollin mbi narrativën publike e merr vetë qytetari.



