
Ekonomisti i LDK-së paraqet propozimet për uljen e akcizës dhe TVSH-së për të lehtësuar koston e jetesës.
Ekonomisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se çmimi i naftës mund të ulet deri në 35 cent për litër nëse Qeveria ndërmerr masa konkrete pas rezolutës së propozuar nga LDK për çmimet e naftës dhe koston e jetesës.
Sipas Rukiqit, ulja e çmimit mund të arrihet përmes dy ndërhyrjeve fiskale që lidhen me akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Ai ka propozuar që akciza për naftën të ulet nga 0.36 euro në 0.20 euro për litër, masë që sipas tij do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth 16 cent për litër.
Po ashtu, Rukiqi ka propozuar edhe uljen e TVSH-së nga 18 për qind në 8 për qind për derivatet e naftës, që sipas llogaritjeve të tij do të sillte një ulje shtesë prej rreth 19 cent për litër.
Sipas tij, nëse këto dy masa do të zbatoheshin nga institucionet, qytetarët do të përfitonin një ulje të përgjithshme prej rreth 35 cent për litër në çmimin e naftës.



