
Profesori i Filozofisë kërkon debat me argumente dhe jo etiketime ndaj filozofes shqiptare me famë botërore.
Profesori i Filozofisë, Sead Zimeri, ka reaguar në mbrojtje të filozofes shqiptare me famë botërore, Lea Ypi, pas valës së kritikave dhe sulmeve personale që ajo ka marrë kohët e fundit në hapësirën publike.
Zimeri thekson se nuk është e nevojshme që të gjithë të pajtohen me qëndrimet apo shkrimet e Ypit, duke e konsideruar mospajtimin intelektual si normal dhe të shëndetshëm. Sipas tij, ajo që po ndodh aktualisht nuk përbën kritikë reale, por sulme personale.
Ai përmend akuzat e përsëritura ndaj Ypit, si: komuniste, nostalgjike për diktaturën, mbrojtëse e Madurit apo kukull politike, duke i cilësuar ato si keqinterpretime të rënda dhe shpikje të pastra. Zimeri sqaron se libri “Të lirë” nuk është një lavdërim i diktaturës, por një reflektim mbi rritjen nën një sistem ideologjik, duke theksuar se rrëfimi i përvojave personale nuk do të thotë justifikim i regjimit.
Po ashtu, ai thekson se ngritja e pyetjeve mbi të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin nuk nënkupton mbështetje për regjime autoritare, por është një debat legjitim që duhet trajtuar me argumente dhe jo me etiketime.
Zimeri fton kritikët që, nëse nuk pajtohen me interpretimet e Ypit për Kantin, me kritikën e saj ndaj nacionalizmit liberal apo me qëndrimet mbi ndërhyrjet ndërkombëtare, të debatojnë me ide dhe argumente konkrete.
Sipas tij, sulmet ad hominem, fajësia përmes asociacionit dhe helmimi i debatit publik nuk përbëjnë mendim kritik, por tregojnë varfëri intelektuale.
“Nëse puna e saj nuk ju intereson, lexoni diçka tjetër. Por nëse doni ta kritikoni, bëjeni seriozisht. Çdo gjë tjetër është thjesht zhurmë,” përfundon reagimi i profesorit Zimeri.



